Jump to content

Shqipëtar

From Wikisource
Shqipëtar
by Andon Zako Çajupi
320646ShqipëtarAndon Zako Çajupi

Shqipërin' e mori turku,
i vu zjarr!

Shqipëtar, mos rri, po duku,
shqipëtar!

Mjaft punove për të tjerë,
o fatkeq!
Kujto vendin tek ke lerë
dhe tek heq.

Të ka bërë perëndia
luftëtar,
si s'të lodhi robëria,
shqipëtar!

Erdhi dita të ngresh kokë,
të kërkosh
lirinë, bashkë me shokë
të lëftosh!

Mos bëni si keni bërë
gjer më dje,
por të lëftoni të tërë
për Atdhè.

Pesëqind vjet kemi rruar
me pahir,
Lidhurë me këmn' e duar
me zinxhir!...

Myslyman' e të krishterë
jemi keq!
Të ngrihemi që të tërë,
djem e pleq!

Të ngrihemi të dëftojmë
trimëri;
ja të vdesim ja të rrojmë
për liri!

O moj Shqipëriz' e dashur,
memëdhe,
Të shoh me buzë të plasur,
si më sheh.

U shkretove anembanë,
Shqipëri,
se shqiptarët s'kanë
dashuri.

Gjithë djemtë që ke qarë
dhe mban zi,
për Morenë janë vrarë,
për Turqi!

Zhvish rrobat e robërisë,
memëdhe,
vish armët e trimërisë
se ke ne!


Public domain
This work is in the public domain in countries where the copyright term is the author's life plus 70 years or less. See Copyright.