Baba Musa Lakuriq
- Vanë mënt' e mia, vanë,
një mejtim më prishi trutë,
Glithë profetët pse janë
ja arapë, ja çiutë?
Pse s'ka profetë të tjerë?
Këtë s'e kuptoj dot...
Gjërat q'u bënë një herë
pse nuk' bëhen dhe sot?
Gjëra që s'i kuptoj.
- Mos u habitni me mua:
në duhet që t'i besoj,
do t'i besoj, dua s'dua.
do të besoj shën, Mërinë,
këtë grua të bekuar,
e cila polli Mesinë
me frymën e. shënjtëruar;
Do të besoj, or të mjerë,
Krishtin që nuk e kam parë,
që shpëtoi njerëz të tjerë;
dhe la të tjerë të varë.
Do të besoj, kur më thonë:
Krishti vdiq (gjë e vërtetë),
dhe që të mos zemërohi,
besoj q'u ngjall prapë vetë!
Si gjithë besoj dhe unë
sa shënjtorë kanë qënë,
po besoj dhe tjatër punë,
besoj mëndja na ka lënë!
S'ka si Mesopotamia,
përveç, thonë, Shqipëria,
vënd' i bukur dhe i mbarë,
që nxjerr burra luftëtarë;
ato fusha, ato male
ku dhëntë kërcejnë valle,
atje ujët të ftohtë,
atje bilibli ia thotë,
atje leu trimëria,
atje mbretëron liria,
atje do të dalin trima
të flakët si vetëtima,
për atdhe, do të lëftojnë,
për jetë do ta nderojnë,
Po ç'ndëgjoj? Ç'më shonë sytë?
Njerëz të egër, njerëz të ndytë!
i vinë rrotull paprerë...
Hapi syt', o komb' i mjerë,
se armiqtë që ke pranë,
për të zotuar të kanë!
Dhe tek fryn' er' e lirisë,
do të fryj er' e zisë!...
Eliezer, jetëgjatë,
mos u çudit, paç uratë,
me këto fjalë që bëra;
jam profet, i di të tëra
Ç'do të ngjajnë, ç'kanë ngjarë
tek pashë dritën e parë.
Në këtë vend të bekuar,
të bukur, të lulëzuar,
të veç e të kërkosh mirë,
të gjeç nuse për tim birë,
të zgjedhësh atë që të duash,
se ne këtë vend të mbarë,
mos harro, ashtu më rruash,
kam sua, soj, fis' e farë;
me tim vëlla, kur u ndashë,
brenda në Kanaan e lashë.
Nahari sot s'ësht' i gjallë,
po thonë se la një djalë,
Vathuil më ngjan, i thonë
dhe nderon shtëpinë tonë.
Tek ay të veç në ballë,
nga unë bëni të falë,
dhe në do të gëzojsh mua,
kërko çupë nga ky sua,
Edhe merre bjere vetë,"
Eliezer, plak' i gjorë,
kur foli këto patriku,
u ngre e puthi në dorë,
q'at dit' u nis e iku.
mori pesëdhjet' devera
kurrizdala dhe zverkgjata,
mori dhe shumë të tjera
të Paçmuara dhurata:
unazë, komsa dhe vathë,
lidhur me gur' të paçmuar,
për devetë mori bathë
dhe iku duke gëzuar.
Fatmirosh, sytë ç'i panë
udhës nuk tregonet,
se bukuria që kanë
këto vise, nuk çmonet:
Brigje, kodra lulëzojnë
me gjethe dhe me dafinë,
mali, fusha gjelbërojnë,
me bar e me trëndelinë.
Përroj' të gjat' e të gjerë,
me rrëmbim te lumi shkojnë,
nëpër pyll të paprerë,
ku zogjtë rrin' e këndojnë.
Në këtë vënd udhtari
nukë nginjet nat' e ditë,
se era që del nga bari,
gëzon shpirtin, rrit mëlçitë.
Eliezeri, plak' i vjetër,
betohej për perëndinë,
se nukë kish parë tjetër
vënd si Mesopotaminë.
Ditën çlodhej në stanë
dhe hante djathë të butë,
natën e gdhinte në hanë
se kish frikë nga hajdutë.
E vërteta do treguar,
ky vënd i mir' e i mbarë,
këto vise të bekuar
janë mbushur me kusarë,
njerëz të liq ka kurdoherë.
Udhëtari, pa të metë,
në Kanaan u afrua
dhe qëndroi me devetë
jashtë fshatit, tek një krua.
"Ti e di Patrikun plak
dhe barrën që mora unë,
zot, të lutem nga ky shkak,
ndimë, që të mbaroj punë.
Ajo çupë që të vijë,
të marrë ujë të ftohtë
dhe të rrijë të më ndijë,
t'u ap të pinë devetë,
të flas me mua plaknë,
ajo nuse le të jetë
për t'im zot, për Isaknë"
Eliezer' i bekuar,
lutjen s'e kish dhe mbaruar,
kur pa një vajzë në krua,
me vrap e iu afrua.
Dhe që ta shohë më mirë,
lipi ujë për të pirë
dhe zu që të bëjë fjalë.
E reja u kuq në ballë,
pastaj me llërë përveshur
mbush dorinë duke qeshur,
Me uj' akull si dëborë
dhe ia ep plakut në dorë,
më pastaj merr dhe devetë
një nga një i ujit vetë.
Eliezeri shikon,
fërkon sytë, se s'beson,
kjo çupë që ka përpara,
kaq' e bukur, kaq' e mbara,
e kujt është do ta dijë.
- E kujt je ti, moj bijë?
Sa gëzohem që të gjeta.
- Unë jam, t'u ngjatë jeta,
e mbes' e Nahorit ndjerë,
në Padan-Aram kam lerë,
Vathuil quhet im atë.
- Ti si quhesh, paç uratë?
- Rebeka, të qofsha falë,
im' atë ka dhe një djalë.
Po zotrote ç'bën këtunë?
- Në këtë fshat kam një punë,
rri këtu, se jam i huaj,
Në ka vënd në shtëpi tuaj,
Ec e thuaj; tek yt atë,
Të vij të gdhi këtë natë.
- Zot, ç'janë këto kuvënde?
Në shtëpi kemi plot vënde
për shumë jo, për ty vetë,
kemi vënd dhe për devetë,
po t'u jap vetë të hanë;
vetë të dërgoj babanë,
tim vëlla, një djal' i mbarë,
të vijë këtu t'u marrë,
Këto tha vash' e bekuar
dhe me dy dori në duar
u largua si thëllëzë,
dhe si një sorkadhe mëze
U çudit Eliezeri
dhe qëndroi si mermeri,
s'harriti ta ngjatëjetojë,
mbeti me fjalë në gojë.
Llabani në krua shkoi,
se Rebeka e dërgoi,
Një orë nukë kish shkuar,
Eliezeri i bekuar
brënda në shtëpi kish vatë
me Llabanë, pastë uratë;
Rebeka mori devetë
ne oborr i lidhi vetë.
I shkreti Eliezer
U prit me një barrë nder.
Vathuil për nder të mikut,
për shërbëtor' e patrikut,
theri dashin më të mirë,
bashkë me një qëngj të pirë,
dhe Rebeka, pa përtuar,
ndënji bëri një lakruar,
po dhe Llabani s'përtoi,
shumë gjellëra gatoi:
mish me qepë, me patate,
mish me pras' e me domate,
një paça që nuk çmohet
një kukurec që s'tregohet,
një pilaf si të Sulltanit
pruri dhe nga vënd' i stanit
një përshesh mbytur në gjalpë
orle, djath, kosë, shtalpë.
Po dhe Vathuil i ndjerë
nuk' ndenji këtë herë
me duarlidhur, i qetë:
Në hell dashin e vuri vetë,
vetë e poqi, vetë e ktheu,
vetë kur u poq e preu,
dhe pastaj, në darkë herë,
vet' u nis der' më derë
dhe grishi ca miq të tjerë,
përveç nga Eliezerë. ,
Kur u mblodhën gjithë bashkë,
u përshëndoshën më ashkë,
pastaj i zot' i shëpisë
mori kupën e rakisë,
dhe me gjithë miqt' e tjerë
uroi Eliezerë.
Dhe me njëri-tjetrin thanë
Pas zakoneve që kanë:
--Mirë se erdhe, t'u ngjatë jeta!
--Zotërinj, mir' se ju gjeta!
Ju që nderoni sot mua,
një ditë ua paça hua;
u ardhsha dhe për të mirë,
tani s'jemi dhe pirë,
as me raki, as me verë,
ndëgjoni Eliezerë...
Të mësoni pse kam ardhë,
në këtë ditë të bardhë.
Abraam, imzot i ndjerë,
në këtë katund ka lerë,
dhe Nahorë, pastë ndjesë,
e kishte vëlla me besë.
Kur shkoi në dhe të huaj,
këtu la babanë tuaj,
kur u largua këtejë,
nuk' la vënd të mos vejë,
sa dhe në Misir ka vatë
me nipin e tij dhe me gratë,
dhe në këtë vënd, si thonë,
u njoh dhe me faraonë;
nuk' di ç'punë punoi,
po shumë para fitoi.
Duke qënë shumë vapë,
nga Misiri iku prapë,
u kthye në Kanaan,
q'atë ditë rron në stan.
S'i numërohen devetë,
kuajt, lopët dhe qetë,
dhen e dhi tri mijë kokë,
zemërmirë që s'ka shokë.
Nga të mirat që ka bërë
e nderon bota e tërë.
i dha zoti dhe një djalë,
Që nuk' çmohet me fjalë,
më i mënçur burrë s'ka lerë
në këtë botë të gjerë.
Isaku, po të rrojë,
far' e fis do të nderojë,
trim që nuk' ka të sharë,
lum çupa që do ta marrë;
kush ka vajzë për martesë
Gënjehet me këtë shpresë.
Në Kanaan, ku vdiq Sara,
të tëra shtëpitë e para
te patriku ven' e vinë,
për të mbaruar krushqinë,
po Abraami, plak me mënd,
s'pëlqen nuse nga ky vënd.
Një ditë dolli më thirri
dhe me tha, veç nga i biri:
"Dua, sa jam vet' i gjallë,
o Eliezer, paç uratë,
të gjesh një nuse për djalë,
Se jeta s'hiqet pa gratë.
Doje të mos ta martojë
me turpet që shoh në botë;
të tjera thash me gojë,
të tjera zemra më thotë.
Me një këmbë në varr jam,
dit' e fundit kur të vijë,
djalin e vetëm që kam
ta le prapa me fëmijë.
Më ke shërbyer me besë,
dyzet vjet që je tek unë,
ndaj tek ti vetëm kam shpresë
të mbarosh dhe këtë punë.
Po këtu në Kanaan,
të lutem grua mos kërko,
se je rritur në stan,
nuk' shkojm dot me to.
Të veç në Padan-Aram,
vend' i bukur dhe i mbarë,
se atje shumë njerëz kam,
nga një fis e nga një farë.
Me tim vëlla kur u ndashë,
me Nahor, ndjesë të ketë,
brenda në Haran e lashë,
sot s'është në këtë jetë,
po të veç të gjeç të birë
Vathuil, falju nga mua,
dhe do bësh shumë mirë
të zgjedhësh çupë nga ky sua
Zotit Vathuil i thuaj:
dua ta martoj me Isaknë,
po çupë s'dua të huaj,
se s'dua të trazoj gjaknë,
të lutem mos kërko shumë
bukuri, ar dhe ergjend,
të gjitha venë për lumë,
kur s'është nderi në vënd.
Kush do të rrojë me grua
jetë të mirë të ketë,
lë marrë çupë nga sua,
pra e varfër le të jetë,
vash' e mirë, ç'e do gjënë?
Burrat që rrojnë nga gratë,
s'janë burra për të qënë,
turpërohen dit' e natë..."
Abraami, këto fjalë
tha dhe më puthi në ballë,
e putha dhe un' në dorë
dhe ika pas dy-tri orë.
******************
Vathuil, t'u shtoftë nami,
të bën të fala Abraami,
Ai të do si yt atë,
të dërgon një barr' uratë,
dhe të lutet me dëshirë
t'i apësh nuse për birë,
Rebekën, rroftë për jetë,
se kështu do zot' i vërtetë."
******************
Vathuili me Llabanë
Eliezerit i thanë:
"Rebeka juaja qoftë,
me Isakn' u trashëgoftë !
"o Kur u bënë këto fjalë,
u shtruan në mësallë,
gjithe tok hëngrën e pinë,
duke kënduar u gdhinë.
Në mëngjes. pa ardhë dreka,
u nis për udhë Rebeka,
bashkë me Eliezerë.
Sa lot që derdh mëm' e mjerë,
Po qysh të mos qaj e mjera?
Sos ka dhe çupa të tjera.
Dhe Rebeka nuk' mbahet,
se nga mëma s'mund të ndahet.
I ati u fshin lotë,
i këshillon dhe u thotë:
Ç'janë këto që punoni?
S'ju vjen turp që turpërohi?
Gra si ju nuk' kam parë;
S'është ditë për të qarë.
Ç'vajzë nuk' ësht' e gëzuar,
kur niset për t'u martuar?
Dhe cila mëmë s'gëzohet,
e bija kur i martohet?
Po dhe ty, moj jetëgjatë,
të vetëm të kish yt' atë,
kur të martoi me mua,
jot ëmë sa u gëzua;
Vajza s'na vete, si thuaj,
në vënd dhe në njerz të huaj,
Isaku, moj punëmbarë,
më ka kushëri të parë.
Tani, të lutem, fshij lotë,
dhe kujto ç'bëhet në botë:
njeri nuk' vë kurorë,
pa marrë pajë në dorë.
Një burrë që s'ka të hajë
s'pëlqen çupë që s'ka pajë;
sot nuk' është si një herë,
burrat dalin për të blerë...
Ke të holla, burra shumë,
le të jesh lum' e për lumë,
le të jesh e çalë e qorre,
thuaj se burrën e more;
Je faqekuqe, si molla,
e bukur, po s'ke të holla?
Të rruatë bukuria,
s'të nxjerr njeri nga shtëpia;
në mos daltë ndonjë plak
të ranë dhëmbët në prak...
Çupa jonë këmbëmbarë,
merr burrë që s'ka të sharë,
dhe ç'burrë, një bir patriku;
shëndoshë na qoftë miku;
martoj vajzën pa një grosh;
këto gjëra të mendosh,
se s'është fitim i pakë,
mendoju si grua plakë,
mos qaj se lotë dëm venë,
mos i prish çupës kësmenë,
po ngrehu epi uratë
të ketë jetë të gjatë,
O bijë, pushoi lotë,
se jot ëmë s'di se ç'thotë,
eja të të puth dhe vetë,
të trashëgohesh përjetë"
Rebeka me këto fjalë,
u bë gati për të dalë.
Gjithë fshati për të dolli,
gjer te kroi e përcolli,
gra e burra të gëzuar
të tërë duke kënduar:
- Ku je nisur për të vatë,
shelege bejk' e çobanit?
Ku lë jot ëm' e tyt atë
dhe gjithë shoqet e stanit?
Thëllëza gurë mbi gurë,
trimat rënkojnë për tynë,
nga foleja mos dil kurrë,
se ta kanë vënë synë...
- Moll' e kuqe bukuroshe
pse të dalç e pabesë?
Kur s'na doje pse s'na thoshe,
po na gënjeje me shpresë?
S'të dinim kaqë fodulle,
manushaqe që mban erë,
tani që lëshove lule,
të trashëgojnë të tjerë.
- Ndëgjoni shoqet e mia,
diç t'u them e diç t'u qahem:
do të ndahem nga shtëpia,
nga njerëzit e mi do të ndahem.
Obobo, ç'është kjo punë?
Moj nënë për ku më nise?
Pse s'më martoni këtunë?
Ç'më vjen keq për këto vise!
- Ikë, zogë, se pret zogu,
që këndon pranë folesë,
rnbi një degë borziloku
dhe shikon udhën me shpresë.
Ikë, bëfsh udhën e mbarë,
të pret miku të martoni,
të dy bashkë të pandarë,
për jetë të trashëgoni!
* * *
- As këndoni të këndojmë,
ju e dini kë martojmë;
O Isak, jeta t'u ngjatë
si mbret të marton yt atë,
more nuse si je vetë,
të trashëgohenë përjetë.
Nuni që vuri kurorë
pagëzoftë edhe me dorë.
Dhëndër, o lule lejmon,
hip e rri në këtë fron.
Të të laj, të të ndërroj
te nusja të të dërgoj.
A të pëlqen nusja,
more djal' o lulja?
Është' e mirë, shoqe s'ka,
m'e mirë nga gjithë na.
Moj nuse buzëqershia,
S'të çmonet bukuria,
Të lëvdon bot' e tërë.
Lum mëma që të ka bërë.
- Thëllëza, gurë mbi gurë,
me gojë s'më fole kurrë,
më, do a s'më do për burrë?
Moj, në më do sa të dua,
lë jot' ëm e rri me mua.
- Moj lulja vergje, vergje,
të fola, pse s'm'u përgjegje?
Moj, mos je sëmur' e dergje?
As sëmurë s'jam, as dergjem,
po s'dua të të përgjegjem,
se kam frikë nga im atë,
që përgjon nat' për natë.
- Borziloku fletëgjerë,
çuditem se kur u rrite,
ditën që të mora erë,
m'u në zemër më godite...
- Shum' e bukur je, moj vashë,
u çuditçë kur të pashë,
cullufet fije-fije,
besa sa të kanë hije;
faqet si moll' e kuqe,
goja jote si burbuqe,
mesi yt unazë dore,
sa mënd që kesh' m'i more,
me dy sy të zezë në ballë
si dielli më të dalë.
Vetullat pse t'u nxinë?
Mos u ke vënë mazinë?
Jo, besa, për perëndinë,
e kam vetë bukurinë,
- Vura një kopsht me mollë,
nusja si selvi e hollë;
falmë, falmë, moj selvi,
mollët që ke në gji...
Vura një kopsht me dardhë,
nusja jonë fort e bardhë;
nëmë, nëmë, moj selvi,
dardhëtë që ke në gji...
Vura një kopsht me pjeshkë,
nusja jonë një syzezkë,
eja, eja, moj selvi,
eja me pjeshkë në gji!...
- O shoko, more shoku,
dhënt' e mia kush i do?
Se s'mund të vete me to;
me miken dua të rri
nat' e ditë në shtëpi,
të los e ta marr në gji.
Do të los ballë për ballë,
Posi luga nëpër dhallë,
do të los faqe për faqe,
të marr erë manushaqe,
do të los gushë për gushë,
posi shtjerratë në fushë.
- Moj nuse ç'është kjo punë,
që ditën që je këtunë,
pse na rri duke menduar?
Vallë, kush të ka qortuar?
Pse na mban sytë përdhe,
turp të vjen a frikë ke?
Mos u mendo, paç uratë,
harro jot' ëmë e yt' atë;
këtu rrotull sa jemi
gjithë far' e fis të kemi,
dhe burrin që more vetë
nukë ka shokë ndë jetë.
O zot, shitet njeriu
si një lopë, si një kalë!
Ç'janë këta që rënkojnë?
Nuke janë njerëz të tërë?
Po si njerëz pse nuk' rrojnë?
Zbathur e zhveshur pse janë?
Pse punojnë për të tjerë?
Pse nukë kanë të hanë?
Ç'janë këta njerëz të mjerë?
Ku i shpienë si dhëntë?
Në treg pse duan t'i shesin?
E tillë jetë mos qëntë,
Më pahir është të vdesin.
Skllav! Kjo fjalë na tregon
njerinë si një gomar,
tjatër njeri e mundon
e blen, e shet a e var.
Ju që mbroni skllavërinë,
ju që bëni të këqija,
ju që mundoni njerinë,
e gjeçi nga perëndia!
This work is in the public domain in countries where the copyright term is the author's life plus 70 years or less. See Copyright.
| |